Lajmet
  • A e dini se ?
  • Aktivitetet
  • Lajmet
  • Në media
  • Të Gjitha
  • FotoNgaKonferenca1

    Komunikatë për media – Raporti për OSHP

    OSHP Nyja e Prokurimit Publik

    Prishtinë 13 shtator 2017, Demokraci Plus (D+) ka publikuar raportin e monitorimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) për periudhën mars – qershor 2017. D+ është organizata e vetme e cila monitoron të gjitha takimet e hapura të OSHP përmes të cilave synohet të identifikohen shkeljet e prokurimit publik nga institucionet publike të Kosovës si dhe paanshmërinë e shqyrtimit të ankesave nga OSHP.

    Gjatë kësaj periudhe raportuese D+ ka gjetur se problem kryesor në punën e OSHP-së mbetet ruajtja e integritetit institucional. Dy anëtarët më të vjetër të këtij institucioni Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu janë akuzuar për korrupsion nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Për më tepër aktakuzë është ngritur edhe ndaj Zeqir Fetoshit Udhëheqës i Divizionit për Shqyrtimin e Ankesave për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Isuf Zejna nga D+ ka thënë se mungesa e rregullave për parandalim të korrupsionit, konfliktit të interesit dhe transparencës ka shkaktuar këtë numër të aktakuzave.

    Vërejtje tjetër e evidentuar sipas tij është edhe mungesa e konsistencës në vendimmarrje, pasi që OSHP për situata të njëjta apo të ngjashme ka interpretuar Ligjin e Prokurimit në forma të ndryshme. Mungesa e vendimmarrjes së standardizuar sipas Zejnës shkakton pasiguri juridike ndër operatorë ekonomik dhe autoritete kontraktuese gjë e cila ndikon në rritjen e shkeljeve në përgjithësi. OSHP është kritikuar edhe për adresim të ngadalshëm të rekomandimeve të D+ nga raporti paraprak dhe mbajtje të seancave dhe votimeve në formë të mbyllur.

    Çështje tjetër e identifikuar është edhe shkelja e afateve kohore nga OSHP për trajtimin e ankesave. Në disa raste shqyrtimi i ankesave mund të jetë shumë efikas dhe i shpejtë, përderisa në rastet tjera vonesat në kundërshtim me Ligjin dhe Rregulloren e OSHP-së mund të arrijnë në dhjetëra ditë, javë ose muaj. Përzgjedhja e lëndëve dhe përfundimi i tyre me kohë bazohen tërësisht në vullnetin e OSHP-së pasi që nuk ka mekanizëm të përzgjedhjes së lëndëve i cili do të parandalonte qasjen subjektive.

    D+ ka gjetur se në konkursin e fundit për rekrutimin e ekspertëve është hequr kushti që të njëjtit të mos jenë penalisht duke u ndjekur nga prokuroria apo kushti që ata të mos kenë qenë të dënuar për kryerje të ndonjë vepre penale. Për këtë arsye në listën e ekspertëve të OSHP-së ka edhe persona të dënuar për mashtrim në votime. Po ashtu në listën e ekspertëve ka shumë përfaqësues të autoriteteve kontraktuese gjë e cila përbën konflikt të interesit, pasi që të njëjtit janë vetë potencialisht shkelës të ligjit. Në këtë mënyrë janë identifikuar se institucionet në të cilat ka punuar më parë kreu i OSHP-së Blerim Dina, prijnë me numrin e ekspertëve. Kështu për shembull nga Policia e Kosovës janë pranuar tetë ekspertë të cilët shërbejnë si zyrtarë të prokurimit. Po ashtu edhe një ish kolegë i Blerim Dinës nga Ministria për Komunitete dhe Kthim është pranuar si ekspert shqyrtues. Problem kryesor me punën e ekspertëve edhe në këtë periudhë vazhdon të mbetet matja e performancës së ekspertëve dhe analizimi i arsyeve pse anëtarët e paneleve në shumë raste marrin vendime në kundërshtim me rekomandimet e ekspertëve.

    Në këtë raport janë analizuar në detaje edhe tre rastet më interesante të shkeljeve në kuadër të OSHP-së në të cilat D+ konsideron se OSHP ka dështuar të interpretojë ligjin në mënyrë të pa anshme.

    Sara Zhubi monitoruese e OSHP nga D+ ka thënë se D+ i ka adresuar me këtë raport 10 rekomandime OSHP-së duke filluar nga çështjet më të thjeshta të organizimit e deri tek ato çështje të cilat ndikojnë drejtpërdrejte në paanshmërinë e paneleve shqyrtuese dhe ekspertëve.

    Rekomandimet e D+ për OSHP-në janë:

    1. Mbledhjet e OSHP duke përfshirë të gjitha seancat e shqyrtimit apo të vendimmarrjes të bëhen të hapura për publikun, për të mundësuar monitorimin e vendimmarrjes;
    2. Votimi i anëtarëve të panelit të jetë pjesë e vendimit;
    3. Anëtarët e panelit të cilët votojnë kundër vendimeve të shumicës të kenë arsyetimin e tyre të ndarë pse kanë votuar kundër një vendimi;
    4. Të sigurohet konsistencë në vendimet e OSHP-së përmes krahasimit të vendimeve, ekspertët e përhershëm të angazhohen edhe si zyrtarë harmonizues;
    5. Të ndërmerren masa në parandalimin e konfliktit të interesit në OSHP duke u angazhuar që të parandalohet çfarëdo situate që mund ta dëmtojë besimin në këtë institucion;
    6. Të bëhet matja e performancës së ekspertëve në OSHP, për të siguruar kualitet më të lartë të punës;
    7. Të shmangen rastet e caktimit të të njëjtit ekspert për të gjitha lëndët e një institucioni apo kompanie;
    8. Të rritet bashkëpunimi me prokurorinë për të adresuar rastet të cilat kanë elemente të veprave penale apo paraqesin shpërfillje të vendimeve të OSHP-së;
    9. Të mos angazhohet asnjë ekspert i cili ka kryer vepra penale ose çfarëdo vepre jo etike e cila e bënë të papërshtatshëm për punën e ekspertit në prokurim.

     

    Capture

    Demokraci Plus u dërgon letra subjekteve politike

     

    Në prag të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet komunale të vitit 2017, Democracy Plus (D+) fton partitë politike që të nominojnë më shumë gra si kandidate për kryetar të komunave dhe anëtare të kuvendeve komunale.

    Në zgjedhjet komunale të vitit 2009, vetëm 11 nga 205 (5%) kandidatët për kryetarë të komunave kanë qenë gra. Në zgjedhjet komunale të vitit 2013 vetëm 9 nga 224 (4%) kandidatët për kryetarë të komunave kanë qenë gra.

    D+ u bën thirrje partive që përveç vendosjes së më shumë grave në listat e kandidatëve, të angazhohen në mënyrë afatgjatë për promovimin e grave në politikë përmes masave si:

    1. Nominimi i grave në pozita udhëheqëse të subjektit politik, në borde dhe institucione publike, trupa menaxhuese të zgjedhjeve, dhe pozita të tjera të nominuara nga subjektet
    1. Krijimi i ambientit për promovimin e gruas në parti përmes ndryshimeve potenciale të statuteve partiake, krijimit të programeve që mbulojnë çështjet me interes për gratë, financimit të aktiviteteve të fushatës për gratë kandidate dhe aplikimit të kuotave
    1. Auditimi gjinor i anëtarësisë së partisë, përcaktimi numrit të burrave dhe grave në organet udhëheqëse të partisë dhe në listën e kandidatëve, dhe rekrutimi i vazhdueshëm i grave në organet udhëheqëse të partisë dhe në listën e kandidatëve, dhe rekrutimi i vazhdueshëm i grave në parti.
    1. Promovomi dhe edukimi i vazhdueshëm i grave, ngritja e kapaciteteve të grave në menaxhim dhe lidership, ofrimi i trajnimeve për komunikim me publikun, ofrimi i rrjetëzimit për gratë anëtare, dhe edukimi i vazhdueshëm i grave votuese.

    D+ u është duke mbajtur takime dhe punëtori me parti politike me qëllim të ngritjes së numrit të kandidateve gra në zgjedhjet komunale të vitit 2017. Bashkangjitur mund të gjeni një prezantim të pengesave kryesore të pjesëmarrjes së grave si kandidate, përfitimet nga kandidimi i grave në zgjedhje, dhe veprimet që partitë mund t’i ndërmarrin për të promovuar gratë në politikë.

    D+ Kerkese per me shume gra kandidate 2017-08-21
    Dplus-Praktikant-Slider

    Konkurs për praktikantë

    Democracy Plus kërkon dy (2) praktikantë për programin e praktikës. Praktikantët do të përfshihen në njërin nga programet e D+ në projekte të ndryshme.

    Programi i praktikës zgjat 3 muaj (me gjysmë orari) dhe përfshin:
    Asistencë në hulumtime për projekte të ndryshme, organizim të tryezave dhe konferencave, mbajte të shënimeve në takime dhe ngjarje të ndërlidhura me punën e organizatës, përpilim të raporteve, përditësim të databazave të të dhënave, monitorim të medieve dhe punë të ndryshme në zyrë.

    Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve:
    1. I/e diplomuar apo në vitin e fundit të studimeve në Shkenca Politike, Administratë/Politika Publike, Filozofi, Sociologji, apo Juridik;
    2. Njohje e mirë e gjuhës angleze (përfshirë shkrimin);
    3. Njohje e mirë punës me Microsoft Word dhe Excel, njohja e programeve tjera p.sh SPSS konsiderohet përparësi;
    4. Aftësi të larta komunikimi verbal dhe me shkrim.

    Dokumentet e nevojshme për aplikim:
    1. CV dhe;
    2. Cover letter/Letër motivimi në gjuhën angleze.

    Të interesuarit mund t’i dërgojnë aplikacionet në e-mail adresën: info@dplus-ks.org.

    Afati për dorëzimin e aplikacioneve është 31.05.2017. Vetëm kandidatët që hyjnë në listën e ngushtë do të kontaktohen për intervistë. Ata që nuk kontaktohen deri në datën 05.06.2017 konsiderohen të refuzuar.

    Puna praktike do të mbahet në zyrat e Democracy Plus në Prishtinë, adresa: Rruga Rexhep Luci, hyrja nr. 30, kati I, nga ora 9:00 – 13:00 apo nga ora 13:00 – 17:00.

    2017-05-23 Konkurs per Praktikant-V3
    Thirrje

    THIRRJE PËR APLIKIM SHKOLLA VERORE “CHALLENGE HISTORY”

    THIRRJE PËR APLIKIM
    SHKOLLA VERORE “CHALLENGE HISTORY”
    16-21 korrik 2017
    Mostar, Bosnjë dhe Hercegovinë

    Komiteti Zviceran i Helsinkit dhe partnerët e tij të projektit kanë kënaqësinë të shpallin thirrjen për aplikime për shkollën verore “Challenge History” ( Histori sfiduese), e cila do të mbahet nga 16 deri më 21 korrik 2017 në Mostar, Bosnjë dhe Hercegovinë. Ne i ftojmë të gjithë nxënësit mendje-hapur, në vitin e tretë të shkollave të mesme nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Kosova të aplikojnë për këtë shkollë verore. Aktiviteti gjashtë ditor do t’u mundësojë pjesëmarrësve :
    … të reflektojnë mbi tregimet historike, veçanërisht të atyre që lidhen me luftërat e fundit në Ballkan, si dhe për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv mbi trashëgiminë kulturore;
    … të krahasojnë tregimet historike dhe të sfidojnë idetë e mëhershme lidhur me të kaluarën;
    … të diskutojnë me bashkëmoshatarët e tyre nga vendet e tjera, mënyrat e mundshme për tejkalimin e konflikteve nga e kaluara dhe ndërtimin e një të ardhme të përbashkët;
    … për të aplikuar njohuritë e fituara në arsim dhe aktivitetet e tyre në të ardhmen; dhe
    … për t’u lidhur me të rinjtë nga rajoni dhe të argëtohen duke mësuar së bashku.

    Arsyetimi për mbajtjen e shkollës verore “Challenge History”

    Të rinjtë kanë një rol vendimtar në procesin e vazhdueshëm të pajtimit në Ballkanin Perëndimor. Për të arritur një të ardhme të qetë dhe për të rindërtuar lidhjet midis vendeve të rajonit, përfshirja e brezit të ri është veçanërisht e rëndësishme.
    Shumica e ndarjeve dhe konflikteve në rajon kanë origjinën e tyre nga kujtimet përçarëse dhe interpretimet e së kaluarës të afërt. Për këtë arsye, Shkolla Verore “Challenge History” trajton të kaluarën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Qëllimi i kësaj shkolle është të nxisë debate konstruktive mbi trashëgimitë kulturore të së kaluarës në mesin e studentëve të shkollave të mesme nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne besojmë, se të rinjtë nga këto vende kanë një potencial të madh për të sjellë ndryshime pozitive. “Challenge History” ka për qëllim të kontribuojë në përdorim të plotë këtë potencial.
    Edicioni i Shkollës Verore 2017 në shënjestër ka studentët e shkollave të mesme nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Kosova. Për arsye organizative, nuk ka qenë e mundur që në këtë fazë të zgjerohet numri i thirrjeve për aplikime edhe në vendet e tjera të rajonit. Zhvillimi i ardhshëm i Shkollës Verore do t’u jap studentëve të interesuar nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor mundësinë të marrin pjesë në projektin e “Challenge History”.

    Informacionet në lidhje me shkollën verore “Challenge History”:

    Datat: 16-21 korrik 2017 (6 ditë) – Pjesëmarrësve do t’u kërkohet të marrin pjesë në të gjitha seancat gjatë Shkollës Verore. Dita e arritjes është më 16 korrik, më së voni në orën 18.00. Dita e përfundimit është 21 korrik, por jo para orës 12:00.
    Vendi: Mostar, Bosnjë dhe Hercegovinë – akomodimi do të organizohet në bashkëpunim me Kolegjin e Bashkuar Botëror, Mostar.
    Kostot dhe shpenzimet: Organizatorët do të mbulojnë të gjitha shpenzimet e udhëtimit, vizave, strehim dhe ushqim gjatë Shkollës Verore. Anëtarët e stafit të organizatës do të shoqërojnë nxënësit në udhëtimin e tyre nga vendi i tyre në Mostar dhe në anasjelltas.
    Gjuha e punës: Anglisht – pjesëmarrësit duhet të kenë njohuri pune të gjuhës angleze.

    Shkolla verore “Challenge History” do të përbëhet nga këto katër module kryesore:
    ∙ Identiteti
    ∙ Trashëgimitë kulturore
    ∙ Historitë e kundërta
    ∙ Rrëfimet e përbashkëta
    Secila nga këto katër module do të organizohet në një mënyrë interaktive dhe të bazuar në një shumëllojshmëri formatesh të ndryshme, si: leksione, seminare, vizita në terren, debate, diskutime, raste studimore, aktivitete kreative, etj. Ekspertë të dalluar nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia do të udhëheqin modulet. Si një plotësim i veçantë anësor, do të organizohen mbrëmje me aktivitete kulturore, në bazë të inputeve të pjesëmarrësve.

    Kush mund të aplikojë?

    ∙ Nxënësit në vitin e tretë të shkollave të mesme (në kohën e aplikimit), dhe të cilët nuk e kanë arritur moshën 18 vjeçare, as nuk do t’a arrijnë në kohën e Shkollës Verore
    ∙ Nga Bosnja and Hercegovina, Kosova dhe Serbia
    ∙ Që dëshirojnë të mësojnë për historinë e rajonit nga një perspektivë më ndryshe
    ∙ Të cilët kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës angleze, në mënyrë që të jenë në gjendje të ndjekin seancat dhe pjesëmarrësit e tjerë

    Si të aplikoni?
    Studentët e interesuar janë të ftuar të plotësojnë formularin e aplikimit (shih të bashkëngjitur). Formulari i aplikimit duhet të shoqërohet me një letër motivimi në të cilën ata do të:
    a) paraqesin shkurtimisht veten;
    b) përshkruajnë motivet e tyre për të aplikuar për Shkollën Verore “Challenge History” dhe të spjegojnë pse ata besojnë se një nismë e tillë është e rëndësishme;
    c) nxjerrin në pah në të cilën mënyrë ata do të munden personalisht dhe si pjesëmarrës të kontribuojnë në rezultatet pozitive të Shkollës Verore.

    Formulari i aplikimit së bashku me letrën e motivimit duhet të dërgohen në Komitetin Zviceran të Helsinkit me e-mail info@shv-ch.org para datës 28 pril, 2017.
    Shkarko formularin duke klikuar këtu.
    20 pjesëmarrësit që do të zgjidhen, do të përzgjidhen në bazë të motivimit të tyre për të fituar njohuri shtesë dhe për t’u angazhuar në debate kritike, dhe në përputhje me kuadrin e kritereve themelore të aplikimit.

    [1] Komiteti Zviceran, si partneri kryesor, implementon këtë projekt në bashkëpunim me ZFD (Forum Civil Peace Service), Friedrich Ebert Stiftung (FES), Euroclio HIP BiH, United World College Mostar (BiH), Center for Peace and Tolerance (Kosovo), Democracy Plus (Kosovo), dhe Belgrade Centre for Security Policy (Serbia).

    [1] Projekti afatgjatë synon të mbledhë maturantë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Për fat të keq, për arsye organizative dhe për shkak të burimeve të reduktuara, organizatorët kanë kufizuar pjesëmarrjen në Shkollën Verore 2017 në Mostar vetëm për studentët e shkollave të mesme nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Kosova.  

    Leaflet_Summer School Challenge History
    Ndreqe

    Demokraci Plus (D+) sot ka lansuar platformën online Ndreqe.com

    Demokraci Plus (D+) sot ka lansuar platformën online ndreqe.com. Qëllimi i platformës është që t’u ofrojë qytetarëve mundësi të lehta dhe të thjeshta për të raportuar probleme të ndryshme që lidhen më shërbimet publike si: mbeturina, ndriçim publik i prishur, gropa në rrugë, duhan në hapësira të brendshme, parkim illegal, si dhe trotuar i dëmtuar. Në lansim të platformës ishin të pranishëm kryetarë komunash, përfaqësues të ministrisë së pushtetit lokal, si dhe përfaqësues të organizatave jo-qeveritare.

    Demokraci Plus (D+) është organizatë e pavarur dhe jo fitimprurëse e themeluar nga një grup aktivistësh që besojnë fuqishëm në vlera demokratike dhe në një Kosovë me demokraci të mirëfilltë. Qëllimi kryesor i D+ është të nxisë vlera dhe praktika demokratike, si dhe politika që ndërtojnë një shoqëri aktive. D+ është e përkushtuar të kontribuojë në fushën e qeverisjes së mirë dhe sundim të ligjit, zgjedhjeve dhe partive politike dhe çështjeve sociale dhe të drejtave të njeriut.

    Kontakti
    Rruga Rexhep Luci, Hyrja 8/3, Kati I-rë.
    Prishtinë, 10000
    Kosovë

    +381 (0) 38 749 288

    info@dplus-ks.org